Kurti: Sovraniteti i Kosovës i paprekshëm
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti e konsideron të paprekshme sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit, ndërsa perëndimi pret që ai të finalizojë dialogun e nisur me Beogradin zyrtar. Kurti i cilësoi politikat e Serbisë të njëjta me ato të Rusisë në Ukrainë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Kosova nuk do të lejojë prekjen e pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të saj. Gjatë një fjalimi në Këshillin e Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, Kurti foli për luftën ne Ukrainë, duke thënë se “ashtu siç veproi Serbia dje” me luftërat në Ballkanin Perëndimor, ashtu “po vepron Rusia sot”.
“Le ta dinë të gjithë, kur kërkojmë të respektohet pavarësia dhe integriteti territorial i Ukrainës, as që bëhet fjalë të mendohet se do tolerojmë prekjen e pavarësisë, sovranitetit apo integritetit territorial të Kosovës. Këto nuk janë të diskutueshme asnjëherë, askund për neve.”
Ai tha se bota po përballet me rikthimin e politikës fashiste, që sipas tij sponsorizohet nga presidenti rus, Vladimir Putin.
“Pikërisht sot është rikthyer në rend të parë rëndësia e të qenit anti-fashist, kundër diskriminimeve me bazë gjinore, etnike, fetare, kundër çdolloj diskriminimi.”
Serbia dhe Rusia, sipas kryeministrit te Kosovës , kanë lidhje historike e kulturore, në linjat e autokracisë e të despotizmit, të agresionit dhe gjenocidit. Kosova i është bashkuar sanksioneve të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara, pas nisjes së pushtimit të Ukrainës më 24 shkurt.
