Shansi i fundit për Gjukanoviç

Të dielën qytetarët e 14 komunave u drejtohen kutive të votimit në Mal të Zi për të zgjedhur të parin e qytetit.

Partia e Presidentit Malazez, Millo Gjukanoviç ka shansin për t’u hakmarrë për humbjen e zgjedhjeve të gushtit të 2020.

Më shumë se dy të tretat e numrit të përgjithshëm të votuesve në vend do të kenë mundësi të votojnë të dielën në 14 komuna përfshirë Podgoricën.

Beteja pritet të zhvillohet mes DPS-së së Gjukanoviç dhe partnerëve të saj të vegjël dhe koalicionit 5-partiak që e rrëzuan kreun e shtetit 2 vjet më parë.

Fushata është dominuar nga temat lokale, por gjithashtu reflektohen edhe ato në nivel kombëtar.

Partia Demokratike e Socialistëve ka akuzuar kundërshtarët për rrënim të institucioneve dhe bllokim të shtetit, ndërsa partinë e Gjukanoviç si gjithmonë tashmë, për krim dhe korrupsion.

Beteja kryesore është përqëndruar në Podgoricë.

DPS-ja e Gjukanoviç qeveris në kryeqytet prej 24 vitesh.

Megjithatë në zgjedhjet parlamentare, koalicioni Fronti Demokratik, URA e Abazoviç dhe Demokratët mundën të marrin 20 mijë vota më shumë se DPS.

Kreu aktual i Komunës Podgoricë, Ivan Vukoviç nga radhët e DPS është i bindur për një fitore të sigurt dhe se do të rikuperojë votat e atyre që votuan kundër DPS-së në 2020 për zgjedhjet parlamentare.

Pas përfundimit të zgjedhjeve lokale pritet të zgjidhet bllokada në Kuvend.

Presidenti Gjukanoviç mund të shpallë zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare për tre muaj, ndërsa kundërshtarët thonë se do të shfrytëzojnë rezultatin për t’u përpjekur për të krijuar një shumicë parlamentare.

Përfundimisht, fitorja e Gjukanoviç në Podgoricë do t’i jepte legjitimitetin kreut të shtetit për të shpallur zgjedhje të parakohshme parlamentare.