Drejt marrëveshjes finale me Serbinë, Sahiti: Kosova më në fund do largojë një problem që e ka rënduar pas luftës

Intensifikimi i diplomacisë ndërkombëtare ka shtuar shpresat se arritja e një marrëveshje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë është më e prekshme dhe më e afërt se kurrë.

Ekonomisti dhe profesori universitar, Fadil Sahiti,në një intervistë për Rtv Ora me gazetarin Sebastian Zonja thotë se kjo marrëveshje do të hiqte një barrë të madhe për Kosovën.

"Në horizont është një intensifikim për arritjen e një marrëveshje mes Serbisë dhe Kosovës. Si duket ka ardhur momenti i të vërtetës. Diplomacia ndërkombëtare, veçanërisht amerikanët  janë të vendosur që së shpejti mes dy popujve dhe mes dy qeverive të kemi një marrëveshje.

Do të ketë në thelb një lloj Asociacioni, një lloj shoqate, që do të përfaqësojë interesat e popullatës serbe në qeverinë e Kosovës. Kam shpresë se më në fund do arrijmë një marrëveshje, më në fund Kosova do të largojë një problem që e ka rënduar shumë që pas luftës".

Ai thotë se konflikti i ngrirë që Kosova ka me Serbinë është një problem qëndror.

"Pa rregullimin e marrëdhënieve me Serbinë, Kosova e ka të vështirë të zhvillohet, të bëjë reformimin e atyre gjërave që na mundojnë që pas luftës. Reforma në arsim, gjyqësi, shëndetësi, kulturë etj. Pa shkrirjen e këtij konflikti është shumë e vështirë të fillojmë të zhvillohemi.

Moszgjidhja e këtij problemi ka ardhur si rezultat i paaftësive të qeverive të Kosovës që problemin serb ta trajtojnë si duhet dhe ta heqin nga agjenda e problemeve që kemi. Ka qenë dhe interesi serb që Kosvën ta mbajë në një pasiguri totale".

Sahiti me shqetësim flet edhe për vesin e shqiptarëve në të dy anët e kufirit për të zhvatur pasurinë publike.

"Ne shqiptarët edhe sikur një të mirë të vogël t'ja bëjmë kombit dhe shoqërisë kërkojmë haraç. Me çdo kusht duam të identifikohemi me figura të mëdha, me ngjarje të mëdha.

Duke u identifikuar me to e kemi më të lehtë të justifikojmë zhvatjen. Ne shqiptarët e kemi një ves që është thelbësor, dëshira jonë për të zhvatur pasurinë publike. Më shumë duam 10 euro të pasurisë së shtetit sesa 100 euro me djersën tonë".

Duke komentuar marrëdhëniet Tiranë-Prishtinë, ai thotë se kjo marrëdhënie kushtëzohet nga politika që i personalizon atë.

"Politika e kushtëzon shumë marrëdhënien mes dy shteteve.Këtu individët identifikohen me shtetin, lëvizjet e kryeministrave me çdo kusht duan të promovohen liderë të mbrojtjes së interesave kombëtare.  I keni përcjellë këto takimet që mbajnë këta, sa takime koti janë.

I kanë parë me çfarë pompoziteti i  bëjnë, fusin shqiponjën në mes se duan të na mbushin mendjen se janë baballarët e kombit. Faktet janë ndryshe, Kosova dhe Shqipëria shumë pak bashkëpunojnë në shumë sfera të jetës.

Është e pafalshme si akoma ne nuk kemi një sistem arsimor të ngjashëm apo të njëjtë në dy shtetet. Si duket këtyre njerëzve u pengon rregulli, situata ku performanca e secilit do matet në mënyrë praktike".