Vrasja e Ivanoviç, më e mjegullt se dje
Familjarët e politikanit opozitar Serb, Oliver Ivanoviç i cili u ekzekutua në një atentat në Janar të vitit 2018, po e përcjellin me shqetësim situatën se dëshmitarët anonimë po refuzojnë të rrëfejnë çka dinë për ngjarjen tragjike.
Seanca e fundit dëgjimore për vrasjen e Ivanoviç u mbajt në 18 tetor kur një dëshmitar nën mbrojtjen e anonimitetit, refuzoi të japë deklaratë me arsyetimin se ai nuk ndihej i sigurt.
Ky është dëshmitari i tretë anonim që refuzoi të dëshmojë në Gjykatë në Prishtinë.
Familjarët shprehen për mediet, se institucionet e drejtësisë së Kosovës nuk kanë kapacitete që të mbrojnë dëshmitarët, të cilët kanë pranuar të japin deklarata me kushtin që të mos u zbulohet identiteti.
Avokatët pretendojnë se Prokuroria ka bërë gabime duke zbuluar identitetin e dëshmitarëve anonimë përmes marrjes në pyetje.
Siç bëhet me dije vetëm një dëshmitar anonim ka pranuar të flasë për shkak se identiteti i të tjerëve u zbulua përmes procesverbalit të Prokurorisë në të cilin kanë qasje të gjitha palët.
Në lidhje me ngjarjen e pazbardhur janë ngritur aktakuza ndaj gjashtë personave.
Të lidhur me ngjarjen janë edhe shefi i operacioneve në Policinë e Kosovës për rajonin e veriut Zhelko Bojiç, nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiç dhe biznesmeni famëkeq Zvonko Vesellinoviç.