Vuçiç: Propozimi franko-gjerman, i vështirë për Serbinë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se Serbia nuk i refuzon bisedimet me Kosovën, por se ajo që ka parë nga propozimi franko-gjerman, është "shumë e vështirë për Serbinë".

"Nëse do të duhej të merrja vendim në këtë moment... ata nuk na dhanë shans. Shpresoj që në dokumentin e ardhshëm, të paktën të na japin një shans", tha Vuçiq për televizionin serb, TV Prva.

Ai nuk sqaroi se çfarë dokumenti pritet.

Rreth një muaj më parë, në opinion u shfaq informacioni se Franca dhe Gjermania u kanë ofruar udhëheqësve në Prishtinë dhe Beograd një propozim se si t’i zgjidhin mosmarrëveshjet mes dy vendeve.

Megjithatë, propozimi nuk u bë publik dhe nuk dihet se çfarë përmban saktësisht.

Ambasadat e Francës dhe Gjermanisë në Kosovë nuk e konfirmuan ekzistencën e ndonjë dokumenti të tillë.

“Kur më erdhën për herë të parë përfaqësuesit e [kancelarit gjerman Olaf] Scholz dhe [presidentit francez Emmanuel] Macron, nuk pranova ta marr letrën, sikur ta dija... sepse supozova se do ta publikonin shqiptarët. Më thanë se letra ishte sekret. Të gjithë e kanë të qartë se kush e shkeli marrëveshjen”, tha Vuçiç.

Presidenti i Serbisë tha se shpreson se versioni që do të marrë nga përfaqësuesit e vendeve të Quint-it - Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania dhe Italia - të jetë ndryshe nga ai i publikuar në mediat shqiptare, por nuk specifikoi më shumë.

Të mërkurën, në mediat në Kosovë qarkulluan disa shkrime për, siç u tha, një "draft gjerman", por REL nuk mundi të konfirmojë vërtetësinë e tyre.

Vuçiç tha gjithashtu se ka detaje të ndryshme që përmenden në oferta.

“...na ofrojnë qasje të hapur në BE, por të mos kundërshtojmë anëtarësimin e Kosovës në OKB”, tha, mes tjerash, ai. /REL/