Haradinaj: Me Kurtin diskutuam për marrëveshjen potenciale me Serbinë
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë të premten se ka diskutuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, për përmbajtjen e një marrëveshjeje potenciale me Serbinë.
Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, ka nisur më 2011.
Kryeministri Kurti u ka dërguar ftesë edhe dy partive tjera opozitare për të diskutuar për këtë çështje – Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Partisë Demokratike të Kosovës – mirëpo ato nuk kanë pranuar.
Haradinaj ka thënë se takimi me Kurtin ka qenë përmbajtësor.
“E diskutuam procesin, e diskutuam vetë marrëveshjen, diskutuam për sfidat që i ka Kosova në këtë proces. Mund të them se ishte takim me përmbajtje, sepse kemi diskutuar përmbajtjen e një marrëveshjeje potenciale, Kosovë-Serbi”.
Ai ka thënë se finalizimi i këtij procesi duhet të bëhet me vulën e Shteteve të Bashkuara dhe se marrëveshja do të duhej të nënshkruhej në Uashington.
“Duhet ta ketë vulën e Amerikës, jo vetëm mbështetjen e Amerikës. Për të qenë ky proces në garanca të plota, duhet të nënshkruhet edhe nga niveli i njëjtë amerikan”, ka thënë Haradinaj.
Ai po ashtu ka bërë thirrje për qasje serioze në këtë fazë të dialogut.
“Vendimet e dialogut nuk janë vendime që i ndryshon dikush më pas. Duhet të jemi sa më seriozë, duke marrë parasysh shkallën e seriozitetit të akterit ndërkombëtar, duke parë sa seriozë janë Uashingtoni, Berlini, Londra, Parisi. Ne duhet ta konsiderojmë me shumë seriozitet këtë proces. Do të punojmë që Kosova të dalë e suksesshme. Nuk bëhet fjalë për agjenda tjera, as zgjedhore, as qeverisëse”.
Haradinaj nuk u është përgjigjur gazetarëve nëse në takim është diskutuar për të ashtuquajturin propozim franko-gjerman, që do të mund të ishte një kornizë e re për dialogun midis tyre, për arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme për normalizimin e raporteve.
Në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit është thënë se në këtë takim është diskutuar për “procesin e dialogut, idetë, modelet dhe opsionet për elementet kryesore të marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të cilat po qarkullojnë nga e nëpër kancelaritë perëndimore e demokratike, e që në këtë periudhë funksionojnë si sprova dhe testime”.
I dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë të mërkurën për një televizion në Kosovë, se SHBA-ja e mbështet këtë propozim dhe çfarëdo plani që shtetet evropiane sugjerojnë përmes dialogut që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian./REL/
