Escobar pas takimit me Vuçiç: Pres vazhdim dinamik të dialogut
I dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se pret që dialogu midis Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve, të vazhdojë në mënyrë dinamike dhe konstruktive.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk heqin dorë nga kërkesa e tyre për vijimin e dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës.
Pas takimit që zhvilloi me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, i dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin, Gabriel Escobar theksoi se kjo është e rëndësishme si për qytetarët, ashtu edhe për paqen, stabilitetin dhe përparimin e përgjithshëm në rajon.
Sipas njoftimit të Presidencës serbe, Vuçiç bëhet me dije se ka mbajtur bisedime të rëndësishme me diplomatin e lartë amerikan.
Në rrjetet sociale, presidenti serb njofton se është biseduar për të gjitha zhvillimet aktuale, si dhe për çështjet e hapura në dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës.
Ai tha se ka këmbëngulur në zbatimin e plotë të marrëveshjeve të arritura deri më tani, si dhe të së drejtës ndërkombëtare.
“Serbia, si vend serioz, i besueshëm dhe i përgjegjshëm, vazhdon të luftojë për ruajtjen e popullit dhe vendit të saj, duke bërë përpjekje maksimale për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit, si dhe për përparimin e gjithë rajonit”, tha presidenti serb aleksandër Vuçiç.
Escobar po qëndron në kryeqytetin serb një ditë pas vizitës në Kosovë, ku takoi presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti dhe përfaqësues të opozitës.
Kosova dhe Serbia, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe mbështetjen e SHBA-së, janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve që prej vitit 2011, ku të dyja palët kanë arritur dhjetëra marrëveshje, por zbatimi i shumicës ka ngecur.