Lista e trajnerit Reja me “bërthamë” Superiore. Miqësorja me Arabinë në “terr” mediatik?
14 lojtarë të Kategorisë Superiore dhe 9 nga kampionatet e huaja. Trajneri Edoardo Reja publikon listën e Kombëtares për miqësoren me Arabinë Saudite, e planifikuar për t’u zhvilluar në datën 26 tetor në Abu Dhabi.
Risia është 22-vjeçari i Drenicës Arlis Shala, ndërsa Albion Marku, Erdenis Gurishta, Andi Hadroj, Esin Hakaj, Rudolf Turkaj, Stivian Janku, Ardit Toli, Eneo Bitri, Mario Mitaj ndërtojnë mbrojtjen bashkë me të rinjtë e Laçit e Bylisit, Turkaj dhe Janku. Esat Mala, Sherif Kallaku, Lorenco Vila, Ardit Deliu dhe Arinaldo Rrapaj janë shtylla kurrizore e mesfushës nga Superiorja.
Nuk ka shumë risi në sulm me Balajn e Cikalleshin të cilëve u shtohen Xhixha dhe Skuka, ndërsa në listën e pritjes janë Herald Marku, Marsel Isjmajlgeci dhe Tedi Cara. Në total, lista përbëhet nga 23 lojtarë dhe kombëtarja do të grumbullohet në datën 22 tetor në Durrës ndërsa do të udhëtojë një ditë më pas drejt Abu Dhabit.

Deri më sot asnjë televizion apo platformë shqiptare nuk ka njoftuar transmetimin e miqësores dhe sipas të gjitha gjasave kjo sfidë mund të mbetet në “terr”.
