Nunez nderon Liverpool-in, Broja nuk arrin të ndihmojë Chelsean (VIDEO)

Mjafton një gol, i katërti sezonal për lojtarin që u ble rreth 90 milionë euro për ta nxjerrë Liverpool përfundimisht nga tuneli i rezultateve negative. Darwin Nunez shënoi me kokë në pjesën e parë për t’i dhënë vazhdimësi sezonit të “The Reds” me një tjetër fitore pas asaj ndaj Manchester City.

Këtë herë ishte West Ham viktima e skuadrës së Klopp që vuajti jo pak pasi Alisson priti një 11-metërsh ndërsa në fund të ndeshjes West Ham ishte shumë pranë golit. Fitore që e ngjit Liverpoolin në kuotën e 16 pikëve pas 11 javëve të para të Premier League.

Në ndeshjen tjetër të mbrëmjes, Chelsea me Armando Brojën titullar u ndal në një barazim pa gola në transfertën e Brentford. Sulmuesi kuqezi nuk arriti të linte gjurmë në ndeshjen ku u aktivizua 62 minuta. Kjo ishte sfida e parë si titullar për Brojën në Premier League me fanellën e Chelseat.

Fitore të rëndësishme regjistroi Newcastle përballë Everton. Almiron nderoi qymirxhinjtë që konsolidojnë pozitat në vendin e gjashtë me pretendime për zonën Champions.

Në “Old Trafford”, Manchester United kaloi Tottenham 2-0 me gola të Fred dhe Bruno Fernandes.