Spanjë-Katar me këmbë për Kupën e Botës, tifozi humbet kontaktet me familjen
Santiago Sánchez Cogedor kishte një ëndërr, të ndiqte Kupën e Botës në Katar dhe për ta realizuar ai ndërmorri një rrugëtim të veçantë…me këmbë që nga Spanja dhe deri në vendin e Lindjes së Mesme.
Për fat të keq, prej disa javësh, nuk dihet asgjë për fatin e të riut që mesa duket ka humbur kontaktet me familjen dhe shoqërinë. Në datën 8 janar të këtij viti, 40-vjeçari u nis nga qyteza spanjolle në një rrugëtim të gjatë me këmbë mespërmes Europës dhe drejt Azisë për t’u ndalur në Gadishulin Arabik ku në datën 20 nëntor do të startojë Kupa e Botës.
Familja duket e shqetësuar për fatin e tij edhe pse ai është një ish-ushtarak i mësuar me situata nga më ekstremet. I fundit që e kontaktoi në fillim të tetorit ishte një miku i tij, sipas të cilit, Cogedor sapo kishte hyrë në zonën e Kurdistanit irakian dhe ndhodhej 5 kilometra nga kufiri iranian.
40-vjeçari kishte llogaritur të kthehej në Spanjë pas Botërorit nëpërmjet autostopit. Kjo nuk është hera e parë që Santiago ndërmerr inisiativa të tilla pasi në vitin 2019 mbërriti në Arabinë Saudite me një biçikletë për të ndjekur Realin e Madridit në Superkupën e Spanjës.
