Auditoret bosh, pedagogët në grevë/ Në Tiranë bojkot në disa fakultetete, të tjerë filluan mësimin
Viti akademik nisi me auditore bosh në disa fakultete në Tiranë.
Siç kishin paralajmëruar pedagogët bojkotuan mësimin duke filluar grevën pa afat.
"Kjo që po bëjmë sot, do të jetë e përditshme. 10-12:00 ne do të jemi këtu në shesh," tha pedagogu i FSHN.
Kërkuan rritje page dhe shtim të buxhetit për kërkimin shkencor.
"Bojkoti do të vazhdojë deri sa qeveria të ulet dhe të dialogojë me ne," thanë ata.
Armiqësore e cilësuan sjelljen e qeverisë ndaj arsimtarëve.
"Indiferencë, armiqësi, aciditet do ta kisha quajtur unë ndaj arsimit të lartë," tha Mimoza Hafizi .
Përveç Universitetit të Tiranës bojkot pati edhe në Universitetin Bujqësor, të Arteve dhe atë Politeknik.
Në Universitetin e Mjekësisë dita e parë nisi normalisht.
"Unë jam pjesë e atyre që do të fillojë mësimin sot. Pedagogët e fakultetit të mjekësisë, me qa sa kam unë informacion janë në krye të detyrës," tha Najada Çomo.
Kolegët që thyen bojkotin pedagogët i ftuan në protestat e ardhshme për të ngritur zërin për problemet që i prekin të gjithë.
"Gjithmonë ka grevëthyes. Ne do të vazhdojmë brenda mundësive tona deri në fund," tha një pedagoge e politeknikut.
"Janë kryesisht persona që firmosin disa bordoro, disa prej tyre nga bordoro të qeverisë," tha Kovaçi.
Lëvizja për Universitetin në një deklaratë kërkoi të hënën më shumë bashkëpunim mes pedagogëve për të dalë me kërkesa të përbashkëta.
"Këtë herë ata duhet të kishin bërë një kërkesë edhe më të plotë se ajo që duhet është organizim nga ana e tyre," tha një përfaqësuese.
Në disa prej fakulteteve pedagogët patën mbështetjen e studentëve.
"Pedagogë të lumtur, studentë të lumtur," tha një student.
Në nisje të vitit akademik Ministria e Arsimit nuk dha të dhëna zyrtare për numrin e studentëve që do të ulen në auditoret e universiteteve publike.
E vetmja e dhënë është ajo nga Rrjeti Akademik Shqiptar ku dihet se janë 19 mijë të rinj që nisin studimet e larta.