"I mbinë pallatet deri te zyra", Shtesat pa leje në Tiranë, Veliaj tashmë i shikon dhe nga dritarja
Erion Veliaj vijon të mbetet problematik sa i përket premtimeve në ajër të tij për rregullimin e kryeqytetit.
Zotimi për zonat e gjelbra i përket historisë, pasi e vetmja gjë që mbolli me shumicë në Tiranë është betoni. Shtesat pa leje prej shumë katesh tashmë i dallon qartë edhe nga zyra e tij në Bashki pa pasur nevojë të zbresë në terren për ti gjetur.
"Nuk dua të këpus mufka si ata që i sajojnë në ajër."
Por ti rikthehemi sërish premtimeve të bëra nga Erion Veliaj në fushatën e tij të parë, jo te ajo të cilën e mori badiava.
Pasi deklaroi se nuk do të lejonte pallate në zonat e mbingarkuara të kryeqytetit, shkoi edhe më tej me ide që të lënë pa fjalë, ose të paktën ashtu ndodhi në atë kohë.
"Në vend të kenë një lyerje ose suvatim të fasadës ne të bënim një gjelbërim vertikal ku përveç fasadave të lyera të kishim dhe fasada të gjelbëruara."
Kur e mendon thellë-thellë, edhe ka të drejtë kryetari, por në vend të pemëve në kate apo pallateve të gjelbra, ai preferoi të mbillte kulla dhe ndërtesa shumëkatëshe në këto 7 vite që drejton punët e qytetit.
Madje sikur ta dinte që votuesit duhet të dinë mirë për kë të votojnë ka bërë dhe një tjetër apel.
"Kanë fytyrë dhe thonë na provoni dhe njëherë se kësaj radhe do jemi ndryshe. Pyetja është kjo: Me premtimet që bëjnë pse do jenë ndryshe? Tu fyesh njerëzve inteligjencën dhe të thuash që ne zbluam pas katër viteve në bashki që poçat ndërrohen natën dhe jo ditën, kjo është ti marrësh njerëzit për budallenj."
Por të rrimë te e njëjta temë dhe vetëm te premtimi i Veliajt pa i hequr dhe shtuar asnjë material, angazhimi se nuk do të lejojë shtesa pa leje.
"Kemi parë dhe drejtorë të tjerë INUK-u që nuk kanë bërë kur kanë pasur shansin dhe kur kanë drejtuar atë që kjo qeveri dhe drejtoresha jonë ka bërë për të çliruar jo vetëm trotuaret por të gjitha hapësirat publike."
Por çfarë ndodhi? 7 vite më vonë kryeministri, Edi Rama, ngriti alarmin se nuk janë bërë shtesa pa leje, por kate të tëra, madje dhe përballë zyrës së Veliajt në bashki.
"Është e papranueshme të lulëzojnë katet dhe shtesat pa leje sa dhe këtu ngjitur në sheshin "Skënderbej" që vetëm nuk bërtet pallati: "Shihni sa u zgjata o njerëz me mendje të shkurtër!"
Megjithatë këto janë vetëm një pjesë e premtimeve të dhëna e të harruara, ndërsa Veliaj vijon e të mburret me idetë e nisura nga tjetër kush, edhe pse harron që ishte ai dhe mazhoranca që e kandidoi që dikur i bllokonte.