Pas sulmeve kibernetike, Rama: Shqipëria e 8-ta në Evropë për shërbime publike online, zhdukëm korrupsionin
Kryeministri Rama ka publikuar të dhëna nga Raporti i Kombeve të Bashkuara për Zhvillimin Digjital të vendeve anëtare.
Ai shkruan se Shqipëria renditet e 8-ta në Evropë dhe e 19-ta në botë për Shërbimet Publike Online, një lajm shumë i bukur për t’u përcjellë nga kanalet e nga portalet.
Ai shton se ka ende shumë për të bërë kundër korrupsionit dhe për forcimin e administratës, po ama për 1225 shërbime publike (95% e gjithë shërbimeve) vendi ynë e ka zhdukur korrupsionin.
Rama: Këto tabela janë nxjerr nga Raporti i Kombeve të Bashkuara për Zhvillimin Digjital të vendeve anëtare. Shqipëria renditet e 8-ta në Evropë dhe e 19-ta në botë për Shërbimet Publike Online, një lajm shumë i bukur për t’u përcjellë nga kanalet e nga portalet që nxijnë përditë nga balta e gjysmë të vërtetave, sajesave, akuzave, sharjeve e banaliteteve gjithfarësoj. Por më e rëndësishme akoma, një lajm për të vërtetën e madhe dhe të mohuar masivisht, se Shqipëria e sporteleve me hekura, e turmave nëpër radha për të marrë një copë letër, e bakshisheve për çdo shërbim në sportel i takon të shkuarës.
Ka ende shumë për të bërë kundër korrupsionit dhe për forcimin e administratës, po ama për 1225 shërbime publike (95% e gjithë shërbimeve) vendi ynë e ka zhdukur korrupsionin, duke u ngjitur në pozicione që deri para disa vitesh as mund të imagjinoheshin, nga fundi i pusit ku e nisëm rrugën e Revolucionit Digjital.
*Shumëkush flet përçart për sulmin kibernetik mbi Shqipërinë, duke harruar dy fakte të thjeshta, e para se jemi sulmuar pikërisht ngaqë jemi zhvilluar (po të ishim akoma me sportele në shi e në diell, s’do na sulmonin dot) dhe e dyta, se sulmi ka dështuar pikërisht sepse kemi investuar si duhet, duke bërë shumë me pak, e duke u renditur ndër vendet më të zhvilluara për shërbimet publike online.



