VV: Edi Rama "armik" i Kosovës, pjesë e një rrjeti ballkanik kriminal

Krisja mes qeverisë shqiptare dhe lidershipit të Kosovës ka arritur kulmin. Lëvizja Vetëvendosje ka denoncuar fjalimin e kryeministrit Rama në Këshillin e Evropës dhe nismën Open Balkan si dëmtuese për Kosovën. Haki Abazi e ka akuzuar Ramën edhe si të përfshirë në një rrjet kriminal në rajonin e Ballkanin.

Me akuza të forta, deputeti i Vetëvendosjes, Haki Abazi, e ka quajtur fjalimin e kryeministrit Rama në Këshillin e Evropës si dëm për Kosovën.

"Edhe fjalimi i kryeministrit Rama në Këshillin e Evropës edhe qëndrimi i tij për ‘Ballkanin e Hapur’ e kanë dëmtuar dhe vazhdojnë ta dëmtojnë rëndë interesin e vendit tonë".

Ish-zëvendëskryeministri komentoi edhe marrëdhënien Rama-Vuçiç, e cila sipas tij dukshëm shkon kundër përparimit të Kosovës.

Për Abazin, relatat e Vuçiç me Ramën nuk janë për shkak të naivitetit të kryeministrit shqiptar, por për shkak të interesave më të gjera financiare të një rrjeti politikanësh në rajon që varen ndoshta nga aktiviteti kriminal.

"Po më shumë besoj që kryeministri Rama është pjesë e një rrjeti politik të Ballkanit i cili po mbahet gjallë nga strukturat ekonomik e financiare të cilat kanë përfituar nga ekonomia e luftës dhe mandej kapitalin e njëjtë e kanë përdorur për privatizimin e aseteve publike dhe shtetërore të Ballkanit Perëndimor dhe ky rrjet ekonomik-politik e në raste edhe kriminal vazhdon të sfidojë ndryshimin përmbajtjesor demokratik në rajon.  Binomi Rama-Vuçiç janë në kundërshtim me idenë e një Ballkani të barabartë, një Ballkani ku Kosova merr pjesë e barabartë sepse Kosova ka thyer barrierat të cilat i ka pasur përpara gjatë procesit të tranzicionit".

Fjalimi i zotit Rama për Kosovën dhe për ish-krerët e UÇK-së shkaktoi shumë polemika në Shqipëri, Kosovë madje edhe në shtete të tjera evropiane.