Franca kushtëzon liberalizimin e vizave për Kosovën

Franca ka vendosur që ta ndërpresë sërish procesin e liberalizimit të vizave duke kërkuar kushte shtesë që lidhen me sigurinë për të udhëtuar drejt vendeve të BE-së. Edhe pse Kosova ka miratimin e Komisionit Evropian, ndikimi francez është i rëndësishëm në bllok.

Pesë shtete të Bashkimit Evropian kanë kërkuar që procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën të kushtëzohet nga një standard i ri i BE-së.

Zyrtarët francezë, të mbështetur nga ata të Holandës, Belgjikës, Suedisë dhe Spanjës kanë propozuar që procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën të lidhet me funksionalizimin e sistemit për siguri në Evropë, të quajtur ETIAS.

Presidenca Çeke e BE-së ka thënë përmes një deklarate se në mënyrë që të përparohet në këtë temë diskutimet duhet të vijojnë.

Takimi i radhës të grupit të punës së BE-së për shqyrtimin e çështjes së liberalizimit të vizave për Kosovën pritet të mbahet muajin e ardhshëm.

ETIAS është një sistem evropian për autorizim dhe informacione rreth udhëtimit, i cili mundëson verifikimin e të dhënave të qytetarëve të vendeve të treta që nuk kanë nevojë për vizë për të hyrë në zonën Schengen, pra në vendet anëtare të BE-së.

Sistemi u kërkua pas shqetësimeve në rritje për terrorizëm dhe krizën me migrantë në Evropë.

Zyrtarët evropianë kanë bërë thirrje prej kohësh për menaxhim më të mirë të njerëzve që hyjnë në kufijtë e BE-së.

ETIAS është i ngjashëm me sistemin amerikan ESTA, që shërben për qëllime të njëjta.

Procedura ligjore për të miratuar sistemin ETIAS ka filluar në vitin 2016 dhe sistemi pritet të jetë plotësisht operacional brenda vitit 2023.

KËTU LAJMET MINUTË PAS MINUTE

Kujtojmë që Kosova i ka përmbushur kushtet për liberalizimin e vizave prej kohësh.

Këtë e konfirmoi edhe Komisioni Evropian në 12 tetor në progres-raportin vjetor për Kosovën.

Franca e ka bllokuar procesin për vite të tëra edhe pse Kosova i ka pasur numrat për të marrë liberalizimin.