Serbia forcon marrëdhëniet me SHBA
Edhe pse Serbia ka thelluar marrëdhëniet me Rusinë pas nisjes së luftës në Ukrainë, Shtetet e Bashkuara thonë se relatat e Uashingtonit nuk kanë qenë kurrë më të forta se sa sot me Beogradin.
Serbia ka hapur selinë e re të ambasadës së saj në Uashington e cila u ble nga qeveria serbe në muajin shkurt.
Ambasadori serb sot dhe dikur i dërguar i Beogradit për të provokuar Kosovën, Marko Gjuriç e preu shiritin e kuq me emisarin e posaçëm të SHBA-ve në Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar.
Presidenti Vuçiç përmes një letre tha se çelja e dyerve të selisë së re është simbol i zgjerimit të marrëdhënieve mes Serbisë dhe Shteteve të Bashkuara.
Edhe sekretari i Shtetit Anthony Blinken e uroi liderin serb për hapjen e ambasadës përmes telefonit të martën.
Vartësi i Blinken dhe i dërguari i posaçëm i SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor vlerësoi se relatat mes dy vendeve nuk kanë qenë kurrë më të forta sesa sot dhe se simbolizon një fillim të ri në historinë dypalëshe.
Hapja e selisë së re vjen në kohën kur Uashingtoni pret që Serbia ta përafrojë politikën e jashtme me Bashkimin Evropian në lidhje me sanksionet kundër Rusisë.