Blinken bisedon me Kurtin dhe Vuçiçin për intensifikimin e procesit të dialogut

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka zhvilluar të martën biseda të ndara telefonike me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Sipas Zyrës së kryeministrit Kurti, ai ka biseduar me Blinkenin për situatën në Kosovë si dhe dialogun me Serbinë.

Në njoftim është thënë se dy zyrtarët kanë diskutuar për nevojën e “intensifikimit të procesit të dialogut drejt një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme me njohje reciproke në qendër të saj”.

Kurti, bashkë me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, e kanë takuar Blinkenin në Uashington në korrik të këtij viti.

Zyrtarët kosovarë kanë thënë se në atë takim, Blinken ka konfirmuar qëndrimin që dialogu me Serbinë të përqendrohet në njohje reciproke.

Në faqen e Presidencës së Serbisë është thënë se në mesin e temave kyçe ka qenë ajo për Kosovën, prandaj është shprehur dëshira e administratës amerikane që të arrihet një zgjidhje sa më shpejt që është e mundur.

Presidenti Vuçiq ka thënë më 13 shtator se sa të ketë ai ndikim, “Serbia nuk do ta njohë as drejtpërdrejt, as tërthorazi pavarësinë e njëanshme të Kosovës".

Më 9 tetor, Kurti ka thënë se është optimist që në muajt vijues do të mund të arrihet një marrëveshje ligjërisht obliguese me Serbinë.