Vuçiç pajtohet me raportin e KE, zotohet të përmirësojë politikën e jashtme

Serbia mund të prishë marrëdhëniet me Rusinë që datojnë që nga mesjeta. Aleksandër Vuçiç është zotuar se do përmirësojë politikën e tij të jashtme në përpjekje për ta harmonizuar me BE-në duke i vendosur sanksione Moskës.

Presidenti serb ka thënë se i kupton qortimet e Komisionit Evropian në lidhje me raportin për Serbinë dhe se pajtohet në pjesën më të madhe me vërejtjet e raportit.

Në raportin e tij për Serbinë, eurokomisioneri për Zgjerimin Oliver Varhelyi tha se Beogradi duhet ta përshtaste politikën e jashtme të tij me atë të Bashkimit Evropian.

E më gjerësisht për të vendosur sanksione ndaj Rusisë.

Vuçiç u shpreh se do të shikonte se çfarë administrata e tij mund të bënte dhe të përmirësonte në këtë drejtim.

"Pajtohem në masën më të madhe me raportin vjetor të Komisionit Evropian. Do t’i marrim parasysh qëndrimet dhe propozimet e KE-së për harmonizimin e politikës së jashtme me seriozitetin më të madh. Regresi i Serbisë është bërë vetëm në një fushë, në atë të mos sanksionimit të Rusisë dhe kjo është e gjitha e vërtetë", ka thënë ai.

KËTU LAJMET MINUTË PAS MINUTE

Edhe pse është kandidate për anëtarësim në BE, Serbia nuk u pajtua me politikën e jashtme të Brukselit në lidhje me sulmin e Moskës ndaj Ukrainës duke mos iu bashkuar sanksioneve të BE-së.