Edhe 2 vjet kohë për dialogun Kosovë-Serbi, Lajçak: Kemi një dritare mundësie deri në vitin 2024
Kosova dhe Serbia kanë një shans të artë për t’i zgjidhur mosmarrëveshjet deri në 2024. Pas këtij viti, sipas të dërguarit të posaçëm për dialogun, Lajçak agjenda politike e SHBA-së dhe BE-së mund të ndryshojnë pasi ato do të përballen me zgjedhje pas dy vitesh.
I dërguari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit pas takimit me kreun e qeverisë së Kosovës, zotin Kurti deklaroi se dialogu për normalizimin e marrëdhënieve duhet të përshpejtohet.
Mirosllav Lajçak tha se ekziston një dritare mundësie deri në 2024, kohë kur Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kanë zgjedhjet qendrore.
Lajçak: Ne kemi Aleancën unike të BE dhe SHBA në dialog dhe jemi të gatshëm të shohim dialogun që prodhon normalizim. Nuk do të thosha se viti i ardhshëm është vendimtar, por kemi një dritare mundësie, e cila do të zgjasë deri në zgjedhjet evropiane dhe zgjedhjet në SHBA në vitin 2024. Dhe mendoj se është përgjegjësia jonë të mos e humbim këtë dritare të mundësive.
Diplomati sllovak tha se me zotin Kurti kishte biseduar edhe për e asistimin e Francës dhe Gjermanisë në procesin e dialogut.
Presidenti Macron dhe kancelari gjerman propozuan që Serbia të lejonte Kosovën të përfshihej në organizata ndërkombëtare dhe Beogradi të merrte okay-n për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Lidhur me këtë kryeministri Kurti ka shprehur gatishmërinë për ta marrë në konsideratë, por sipas tij nuk ka pasur propozim konkret.
