Susanne Schutz: optimiste për liberalizimin e vizave për Kosovën
E ngarkuara e Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor Susanne Schutz shprehet optimiste për liberalizimin e vizave për Kosovën dhe rrëfen për pritshmëritë e saj nga samiti i ardhshëm i Procesit të Berlinit që do të mbahet më 3 nëntor.
Në intervistën dhënë për mediat gjermane, Schutz kujtoi se gjithëpërfshirja e të 6 shteteve është shumë e rëndësishme. Ballkani i Hapur, tha ajo, deri tani është një nismë që funksionon në tre shtete, ndaj shtoi se gjithëpërfshirja në proces është e rëndësishme dhe që nuk duhet të ketë një dublim, por duhet punuar dorë për dore.
Është shumë e rëndësishme gjithashtu që të gjitha marrëveshjet e finalizuara në nismën e Ballkanit të Hapur të jenë në përputhje me BE-në sepse nëse jo, më vonë do të jetë më e vështirë për t’i riformatuar sipas standardeve dhe rregulloreve të BE.
E pyetur lidhur me nismën për Amnistinë Fiskale, diplomatja gjermane i kujtoi qeverisë “Rama” që duhet të ndjekë këshillat e BE-së për dizenjimin e kësaj iniciative.
Ndërkaq, e pyetur për fenomenin e emigrimit masiv të shqiptarëve, e ngarkuara e Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor u shpreh se duhen krijuar kushtet e duhura këtu në Shqipëri, që njerëzit të qëndrojnë, të shohin se e ardhmja për ata dhe fëmijët e tyre është këtu, në Shqipëri, në rajon.
Ajo solli në vëmendje faktin se Gjermania përpiqet ta mbështesë Shqipërinë, por shtoi ajo me sa duket, kërkohen më shumë përpjekje, nisma nga vetë qeveria për të siguruar mundësitë e duhura të punësimit për njerëzit, që punësimi të bëhet në bazë të meritave, si edhe që lufta kundër korrupsionit të bëhet shumë seriozisht dhe në mënyrë aktive.
