Aromë kualifikimi për Interin, barazim drithërimash në “Camp Nou”, Asllani bën gabimin e rëndë (VIDEO)

11 minuta për shqiptarin Kristjan Asllani në ndeshjen më të rëndësishme të sezonit të Interit që në mënyrë të pabesueshme zhvillon një ndeshje shumë të mirë në “Camp Nou” dhe rrëmben një barazim 3-3 me shijen e fitores.

Barcelona dorëzohet pas 96 minutave shumë të luftuara në një ndeshje ku ndodhi pothuajse gjithçka, madje edhe një gol i shpërdoruar nga Asllani në minutën e fundit për ta çuar rezultatin në 4-3 por i riu kuqezi e përplasi topin në trupin e Ter Stegen në një moment kur mund të pasonte te Lautaro Martinez me portën bosh përpara.

Skuadra e Simone Inzaghit regjistroi një paraqitje për t’u vendosur në kornizë. Pas golit të parë të Dembele, në pjesën e dytë Barrella realizoi një gol që zhbllokoi këmbët e Interit.

Ndeshje mes drithërimash, Barcelona e shkeli gazin edhe më shumë ndërsa Xavo hodhi në fushë edhe shumë fantazi e talent me Balde dhe Ansu Fati ndërsa Lewandowski barazoi rezultatin pas një goli fantastik të Lautaro Martinez.

2-2 për t’ia lënë vendin një ndeshjeje të çmendur në fund ku Gosens çoi sërish në avantazh italianët por sërish Lewa vendosi barazpeshën edhe pse Asllani mund të shënonte të katërtin por mungesa e eksperiencës rëndoi në këmbët e shqiptarit përpara 80 mijë të pranishmëve në stadiumin mitik.

Barazim që ruan distancën në 3 pikë mes dy skuadrave por Interit i mjafton një fitore në ndeshjen e fundit të grupit me Viktoria Plzen për të siguruar kualifikimin në fazën me eleminim direkt.

Në ndeshjen tjetër të këtij grupi, Bayerni dominoi 4-2 Viktoria Plzen dhe konsolidoi pozitat në krye duke hipotektuar gjithashtu edhe çështjen e kualifikimit, ndërsa Barcelona duket se ka marrë rrugën e UEFA Europa League.