Biden: "Të takoj Putinin? Varet se çfarë dëshiron të diskutojë"

Joe Biden "nuk ka ndërmend" të flasë me Vladimir Putin në G20, por do të konsideronte një takim nëse presidenti rus dëshiron të flasë, për shembull, për lirimin e Brittney Griner, amerikanes në burg në Rusi.

"Varet nga ajo që ai dëshiron të diskutojë," tha Biden për një takim të mundshëm të drejtpërdrejtë me Putinin muajin e ardhshëm në Indonezi.

"Nëse ai do të vinte tek unë në G20 dhe do të më thoshte se donte të fliste për Grinerin, unë do ta takoja. Kjo varet. Unë nuk kam ndërmend të negocioj dhe askush nuk është gati të negociojë, me Rusinë për Ukrainën, pa praninë e saj. Pra do të varej konkretisht nga ajo çfarë dëshiron të diskutojë", shpjegoi Biden në një intervistë për CNN, duke theksuar se negociatat për një zgjidhje të luftës duhet të përfshijnë Kievin.

KËTU LAJMET MINUTË PAS MINUTE

“Asgjë për Ukrainën pa Ukrainën”, theksoi më pas presidenti amerikan, duke kritikuar Putinin për kryerjen e akteve brutale dhe krimeve të luftës. "Ai mendoi se do të pritej me krahë hapur, se do të ishte i mirëpritur," shtoi Biden.

Pasi dha alarmin për një Armagedon, presidenti amerikan e ka bërë të qartë se nuk beson se Putini do të përdorë armë bërthamore.