U pushua nga puna se nuk mbante kamerën ndezur, gjykata e dëmshpërblen me 75,000 euro

Një telemarketist u pushua nga puna pasi refuzoi të mbante kamerën ndezur gjatë orëve të punës, mirëpo gjykata hollandeze i dha të drejtë.

Gjykata tha se punonjësit në fjalë, i cili punonte te kompania IT "Chetu", i ishin cenuar të drejtat, dhe e dëmshpërbleu me 75,000 euro.

Në gusht, burrit, në Holandë, iu tha se ekrani i laptopit të tij do të monitorohej, si dhe duhet të linte kamerën e tij të ndezur ndërsa punonte.

KËTU LAJMET MINUTË PAS MINUTE

Pasi nuk pranoi, ai u pushua nga puna për "refuzim për të punuar" dhe "mosbindje".

Chetu nuk ka dhënë deklaratë në gjykatë dhe kompania nuk është paraqitur në seancën gjyqësore, thuhet në aktgjykim.

Gjykata vendosi për rastin në shtator, por gjetjet e saj u publikuan këtë muaj dhe u raportuan nga Netherlands Times.

Në fillim të këtij viti, TUC, e cila përfaqëson sindikatat në Angli dhe Uells, paralajmëroi se përdorimi i teknologjisë së mbikëqyrjes së vendit të punës - duke përfshirë përdorimin e AI për të monitoruar punëtorët - kishte nisur gjatë pandemisë dhe kishte "dalë jashtë kontrollit".

Metodat përfshinin monitorimin e emaileve dhe skedarëve, kamerat e internetit në kompjuterët e punës, gjurmimin kur dhe sa shumë një punonjës po shkruan, thirrjet e bëra dhe lëvizjet e bëra nga punonjësi, përmes përdorimit të CCTV dhe pajisjeve të gjurmueshme.

Punonjësi në këtë rast në Holandë kishte punuar për Chetu që nga viti 2019, kur në gusht iu kërkua të merrte pjesë në një "Program të Veprimit Korrektues ("CAP") - Klasë virtuale", gjatë së cilës do të mbahej ndezur kamera e tij e internetit.

Sipas procesverbalit të gjykatës punonjësi refuzoi duke thënë: "Nuk ndihem rehat duke u monitoruar për nëntë orë në ditë nga kamera. Ky është një cenim i privatësisë sime dhe më bën të ndihem shumë në siklet. Kjo është arsyeja pse kamera ime nuk është i ndezur. Ju tashmë mund të monitoroni të gjitha aktivitetet në laptopin tim sepse unë po ndaj ekranin tim me ju."

Në përgjigje të kundërshtimeve të punonjësit, Chetu argumentoi se kjo nuk ndryshonte nga vëzhgimi i një punonjësi në një mjedis zyre.

Por gjykata nuk u pajtua, duke cituar një vendim të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, i cili thoshte se, "përgjimi me video i një punonjësi në vendin e punës, qoftë i fshehtë apo jo, duhet të konsiderohet si një ndërhyrje e konsiderueshme në jetën private të punonjësit".

Gjykata konstatoi se nuk kishte justifikim të mjaftueshëm për monitorimin nga Çetu dhe për rrjedhojë kishte shkelur të drejtat e privatësisë së punonjësit.