Lufta në Ukrainë mund të kthehet në një "konflikt të përjetshëm"
"Lufta në Ukrainë ka të ngjarë të jetë një 'luftë brezash' dhe për më tepër një 'konflikt i përjetshëm', derisa diçka të ndryshojë në sigurinë evropiane ose në Rusi", tha profesor Michael Clarke, ish-drejtor i përgjithshëm i Institutit Mbretëror të Shërbimeve të Bashkuara (RUSI).
I pyetur nëse Ukraina mund ta fitonte luftën gjatë një interviste në SkyNews, analisti i mbrojtjes tha se tani Ukraina është në gjendje t'i shtyjë rusët përsëri atje ku ishin para 24 shkurtit.
"A do ta bëjë Ukraina këtë? Nuk e di, por di që është e aftë ta bëjë," tha ai.
Clarke tha se kriza aktuale në Ukrainë është "luftë e dytë" dhe lufta e parë u dëshmua në vitin 2014 kur Rusia aneksoi Krimenë.
Ai shtoi: “Unë kam një parandjenjë se vitin e ardhshëm do të ketë një armëpushim në të cilin ukrainasit do të favorizohen. Ai armëpushim do të jetë i paqëndrueshëm dhe do të prishet, dhe do të ketë një luftë të tretë, më pas një armëpushim dhe një luftë të katërt."
“Këtu kemi të bëjmë me një luftë ekzistenciale, sepse Rusia mendon se Ukraina nuk ka të drejtë të ekzistojë, dhe kjo gjë nuk mund të ndryshojë brenda një afati të shkurtër."
"Kjo ka të ngjarë të jetë një luftë brezash. Le të themi se do të zgjasë 30, 40 ose 50 vjet."
Analisti i mbrojtjes shtoi se kriza mund të jetë një "konflikt i përjetshëm" derisa diçka të ndryshojë në sigurinë evropiane ose në Rusi.
"A mund të rifitojnë ukrainasit territorin e tyre? Po. Por atyre do t'u duhet të jetojnë në një paqe të armatosur me një fqinj dhjetë herë më të madh."
"Dhe nëse do të ketë një luftë të tretë, ndoshta do të jetë më e ashpër se e dyta, sepse deri atëherë të dy do të jenë armatosur, kështu që ky është fillimi i një epoke krejtësisht të re në sigurinë evropiane."
