Rusët lundrojnë për në Korenë e Jugut për të mos marrë pjesë në luftë, por iu refuzohet hyrja
Më shumë se 20 rusë kanë lundruar me jahte nga portet veriore të Paqësorit për në Korenë e Jugut, në një përpjekje të dëshpëruar për të shmangur thirrjen ushtarake për të luftuar në Ukrainë, por pjesës më të madhe i është refuzuar hyrja, sipas një raporti mediatik.
Një numër masiv i burrave në moshë rekrutimi u larguan nga Rusia që kur presidenti Vladimir Putin urdhëroi një mobilizim të pjesshëm më 21 shtator.
Shumica u larguan nëpërmjet rrugëve tokësore, hekurudhore dhe ajrore drejt Evropës dhe vendeve fqinje të ish-Bashkimit Sovjetik, si Gjeorgjia, Azerbajxhani dhe Kazakistani.
Kanali televiziv koreano-jugor KBS raportoi të martën se të paktën 21 rusë kishin mbërritur nëpërmjet jahteve në portet në jug të vendit, por vetëm dy prej tyre u lejuan të hynin, ndërsa të tjerëve iu refuzua hyrja pasi autoritetet e konsideruan qëllimin e tyre "të paqartë".
KBS raportoi se tre jahte ishin ankoruar në qytetin port juglindor të Pohang gjatë disa ditëve të fundit, kryesisht me burra rusë në moshën 20-30 vjeç.