Rusia në luftë me Meta: Kompania e Zuckerberg përfshihet në listën e organizatave terroriste
Meta është në qendër të Rosfinmonitoring, agjencisë qeveritare ruse që merret me operacionet financiare në vend.
Kjo organizatë e ka përfshirë kompaninë e Zuckerberg në listën e organizatave terroriste dhe ekstremiste, sipas asaj që kanë bërë të ditur disa agjenci të shtypit ruse.
Qytetarët rusë që hyjnë në Facebook, Instagram dhe Whatsapp mund të përballen me dënime dhe madje të ndiqen penalisht.
Rosfinmonitoring mund të ketë përfshirë gjithashtu Vesna, një lëvizje rinore pacifiste ruse, në listën e organizatave të përfshira në terrorizëm dhe ekstremizëm.
Lufta në rrjetet sociale të Zuckerberg nuk është e re, pasi tashmë nga marsi aksesi në platformat Meta ishte kufizuar goxha pasi Facebook dhe Instagram ishin akuzuar për rusofobi dhe diskriminim.
Një gjykatë në Moskë kishte drejtuar gishtin drejt rrjeteve sociale, fajtore për dhënien e hapësirës postimeve që nxisnin vdekjen dhe dhunën kundër rusëve.
Në qershor, ankimi i Metës ndaj kësaj dispozite u rrëzua. Tani, megjithatë, ndalimi duket se do të jetë përfundimtar.
