Milan sillet si kampion, Juventusit i rikthehen mankthet e humbjeve (VIDEO)
Milan hipotekon ndeshjen më të fortë të kësaj jave në Serie A duke kaluar 2-0 Juventusin në “San Siro” me një paraqitje të rëndësishme në fushën e lojës dhe 3 pikë që e ngjisin skuadrën kampione në kuotën 20.
Fikayo Tomori sigloi rrjetën e parë të kuqezinjve në minutën e 46 në një duel që nisi fort për skuadrën e Allegrit e cila lëshoi terren pas 20 minutave të para. Juventusi sulmoi me vazhdimësi dhe këmbëngulje por Milani u mbrojt mirë dhe gjeti golin fillimisht me mbrojtësin anglez dhe më pas me numrin 10, Brahim Diaz.
Reagim fantastik nga ana e skuadrës së Stefano Piolit që fshin zhgënjimin e humbjes në Champions dhe pret me optimizëm sfidën e kthimit me Chelsean të martën në “San Siro”, shumë e rëndësishme për vazhdimësinë e skuadrës 7 herë kampione të kontinentit. Fitore që e ngjit përkohësisht në krye Milanin bashkë me Atalantën dhe Napolin që kanë nga një ndeshje më pak ndërsa Juventusi shkëputet në -10 nga kreu.
