Një person ka vdekur pasi policia përdori gaz lotsjellës në ndeshjen e futbollit në Argjentinë

Të paktën një person ka humbur jetën pasi policia hodhi gaz lotsjellës ndaj tifozëve jashtë stadiumit të Gimnasia gjatë ndeshjes kundër Boca Juniors në Argjentinë.

Policia gjithashtu qëlloi me plumba gome në përpjekje për të ndaluar tifozët të futeshin në terren.

Ndeshja u ndërpre pas nëntë minutash, me tifozët që u turrën në fushë duke u përpjekur t'i shpëtonin trazirave.

KËTU LAJMET MINUTË PAS MINUTE

Ministri i Sigurisë së Buenos Aires, Sergio Berni konfirmoi se kishte një vdekje të shkaktuar nga arresti kardiak.

Autoritetet në spitalin San Martin në La Plata, qyteti ku ndodhet Gimnasia, konfirmuan gjithashtu vdekjen e 57-vjeçarit teksa po transferohej nga stadiumi në spital.

Rreth 10,000 tifozë ishin jashtë stadiumit me kapacitet prej 20,000 personash dhe nuk mund të hynin.

Tifozët po shtrëngoheshin nëpër gardhe në përpjekje për të hyrë në fushën e stadiumit Juan Carmelo Zerillo në La Plata.

Arbitri Hernan Mastrangelo tha se kjo ndikoi te të gjithë.

"Ajri u bë i padurueshëm. Situata doli jashtë kontrollit dhe nuk kishte garanci sigurie."

Berni tha se një hetim do të hapej, mbi shitjen e mundshme të biletave mbi sasinë e lejuar në një zonë që po shqyrtohet.