“Kosova në OKB, Serbia në BE”, Vuçiç zbulon paktin e propozuar nga Franca dhe Gjermania

Franca dhe Gjermania i kanë ofruar Serbisë anëtarësim në BE me kushtin që të lejojë Kosovën të anëtarësohet në OKB. Planin e bëri të ditur presidenti Vuçiç, i cili garantoi serbët se ai kurrë nuk do pranojë të njohë zyrtarisht Kosovën.

“Kosova në OKB, Serbia në BE”, Vuçiç zbulon
Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, bëri të ditur të shtunën se Franca dhe Gjermania kanë propozuar që Beogradi zyrtar të lejojë Kosovën të anëtarësohet në institucione dhe organizata ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara, në këmbim të anëtarësimit të shpejtë të Serbisë në Bashkimin Evropian.

Vuçiç: Kërkohet që Serbia të lejojë Kosovën që të bashkohet në të gjitha institucionet dhe organizatat ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara. Për këtë gjë, Serbisë do t’i garantohej anëtarësim i shpejtë në BE, dhe ndoshta edhe përfitime tjera të mëdha ekonomike.

Sipas Vuçiç po ndryshon arkitektura e negociatave, pas bisedës me Lajçak dhe këshilltarët e presidentit francez dhe kancelarit gjerman.

KËTU LAJMET MINUTË PAS MINUTE

Është e papërgjegjshme dhe joserioze të mos merret parasysh propozimi nga Franca dhe Gjermania, por se nuk është i sigurt se mund të pranohet, deklaroi Presidenti serb.

Vuçiç: Ne do të vazhdojmë të bëjmë punën tonë. Është e vështirë sepse fuqitë e mëdha do të përpiqen të kundërshtojnë çdo vendim. Pritet që procedura për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës të fillojë më 2 ose 3 nëntor. Ata mund të na marrin gjithçka, ne do të luftojmë me të gjitha forcat në dispozicion. Shanset janë të vogla. Sido që të jetë, në këtë moment nuk ka vullnet në udhëheqjen serbe për të pranuar pavarësinë e Kosovës.

Ai foli për një pozicion të komplikuar të Serbisë duke iu referuar presionit ndërkombëtar në rritje.

Vuçiç: Amerikanët po rrisin praninë e tyre ushtarake në Kosovë. Eshtë interesant fakti se ata thonë se po vijnë për të mbrojtur edhe më shumë integritetin territorial të Kosovës, dhe ky është një sinjal i qartë për ne. Ne e kuptuam mesazhin. Nuk na mbetet tjetër veçse ti referohemi të drejtës ndërkombëtare, të cilit të tjerët i përmbahen vetëm kur u përshtatet.

Presidenti serb u zotua gjithashtu për vazhdimësinë e përpjekjeve në lidhje me normalizimin e marrëdhënieve me shqiptarët, duke garantuar përkrahje të komunitetit serb në Kosovë.