Bosnja mbetet siç ishte, asnjë risi në zgjedhjet e fundit, të vjetrit barrikadojnë postet

Bosnja ka mbetur në vendnumëro edhe në këto zgjedhje të së dielës. Liderët tradicionalë kanë çimentuar sërish pozicionet e tyre. Ndërkohë, amerikanët kanë vënë sanksione këtë fillimjavë ndaj kryeministrit boshnjak Novaliç dhe një biznesmeni afër Dodikut.

Zgjedhjet e së dielës në Bosnje nuk kanë sjellë ndonjë risi për vendin e përçarë fetarisht dhe etnikisht në Ballkan.

Mediet boshnjake shkruajnë se partitë tradicionale kanë fituar sërish shumicën e posteve. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve konfirmoi të hënën pasdite, ndërsa ishin numëruar një pjesë dërrmuese e votave, se partitë tradicionale janë rikonfirmuar.

Mediet më në zë Perëndimore kanë reaguar për këto zgjedhje duke shkruar se në Bosnje fitoi sërish politika klanore dhe frikësimi i qytetarëve boshnjakë.

Bosnja ka tre komunitete kryesore etnike-boshnjakë myslimanë, serbë ortodoksë dhe kroatë katolikë dhe për shkak të sistemit të komplikuar politik të vendit, me kuota etnike në nivele të shumta të qeverisjes, asnjë parti nuk mund të qeverisë e vetme. Kjo ngre mundësinë e bisedimeve të zgjatura për ndarjen e pushtetit.

Milorad Dodik i Republikës Srpska pritet të konfirmohet në mandatin e tij. Më herët ai është shpallur non grata nga amerikanët.

Ndërkohë, këtë fillimjavë, amerikanët sanksionuan me urdhër të Thesarit Kryeministrin e Federatës së Bosnjë e Hercegovinës, Fadil Novalliq, dhe Sllobodan Stanoviqin, biznesmen i lidhur me liderin e serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik.