Një fund i pazakontë/ I moshuari u jep kafe bashkëfshatarëve, i fton në funeral dhe vetëvritet

Një 95-vjeçar në Greqi u vetëvra mesditën e sotme me armën e gjahut në banesën e tij.

Ngjarja ka ndodhur në Bashkinë Amfikleia-Elatia në Fthiotidë.

Në bazë të dëshmive të bashkëfshatarëve të tij, mëngjesin e sotëm, para se të kryente aktin, kishte shkuar në kafenenë e fshatit dhe i kishte qerasur të gjithë.

Teksa po largohej, ai i pyeti nëse do të shkonin në funeralin e tij, por ata e morën me të qeshura pasi nuk e besonin se po fliste seriozisht.

Fatkeqësisht, 95-vjeçari e kishte marrë vendimin e tij dhe madje kishte njoftuar disa nga të afërmit e tij, duke i ftuar në varrimin e tij.

Por para se ata të mund të verifikonin vërtetësinë e lajmit, i moshuari e bëri fakt.

Mediat greke shkruajnë se artizani 95-vjeçar ishte diagnostikuar me kancer në kokë.

Bashkëfshatarët e tij tregojnë se ai ishte një burrë dinamik dhe dukej shumë më i ri se mosha që kishte.

Gjithçka nisi pak kohë më parë, kur ai u diagnostikua me kancer në kokë, lajm të cilin nuk e përballoi dot pasi i thanë se kishte një kohë të kufizuar për të jetuar.

Siç raportojnë bashkëfshatarët e tij, 95-vjeçari kishte pirë me ta kafen e mëngjesit, duke u kërkuar falje për ato që u ka bërë apo nëse ka ndodhur që i ka mërzitur me apo pa dashje.

Pastaj nga ana e tij u kishte thënë se u ka falur çdo padrejtësi të bërë ndaj tij.

Disa nga miqtë e tij më të ngushtë e pyetën pse i tha këto fjalë dhe pse i trajtonte ata sikur të ishte një festë.

Ai u tha atyre se do t'i linte shpejt dhe donte të sqarohej me të gjithë.

Fshatarët u habitën kur i dëgjuan këto fjalë, por nuk i kushtuan vëmendje, pasi menduan se po bënte shaka.

Nuk u shkonte mendja se ai kishte vendosur tashmë të bënte vetëvrasje.

Mesditën e sotme, rreth orës 13:00 dhe pasi ka shijuar ushqimin me familjen, 95-vjeçari është ngjitur në çatinë e shtëpisë së tij dhe i ka dhënë fund jetës së tij me armën e gjahut, pasi nuk ka dashur të presë që sëmundja ta marrë.

Sipas bashkëfshatarëve, 95-vjeçari ishte i dashur në fshat, gjithmonë i gatshëm për të ndihmuar fqinjët, ishte një familjar i mirë që rriti dy fëmijë dhe nuk donte t'i shqetësonte me problemin që i solli fati.