Osmani: Rama relativizon krimet në Kosovë: I quan spastrim etnik, ato në Bosnjë i quan gjenocid

Marrëdhënia e tyre jo e ngrohtë nuk është më një thashethem.

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani edhe pse e qetë ka lëshuar akuza ndaj kreut të qeverisë shqiptare Edi Rama.

Krahas marrëdhënies të ngushtë të zotit Rama me presidentin Vuçiç, për të cilën Osmani ka folur me rezerva, këtë herë kryetarja e shtetit fqinj thotë se kryeministri i ka relativizuar krimet e Serbisë në Kosovë.

"Është publik qëndrimi i kryeministrit Rama sa i përket Serbisë dhe mund ta gjeni në fjalimet e tij. Është publik qëndrimi i tij ku i quan krimet në Kosovë thjesht spastrim etnik, kurse ato në Bosnje gjenocid, kur, në fakt, ju e dini shumë mirë se edhe gjykatat ndërkombëtare, përfshirë ICTY-në, kanë vendosur që në Kosovë janë kryer krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

KETU LAJMET MINUTE PAS MINUTE

Dhe, ne jemi të bindur që do të dëshmohet shumë shpejt edhe gjenocidi i kryer në Kosovë, sepse qëllimi i Serbisë nuk ka qenë thjesht t’i dëbojë kosovarët, qytetarët shqiptarë nga Kosova. Qëllimi ka qenë shfarosja e popullit të Kosovës" tha Osmani dje në një intervistë për Radio Evropa e Lirë.

Ndërsa shprehet se nuk kanë rëndësi marrëdhëniet e saj personale me zotin Rama, presidentja Omani përmend edhe njëherë se ndahet me kryeministrin tek nisma Open Balkan.

"Sa u përket çështjeve, të cilat na ndajnë, ne jemi pajtuar për të mos u pajtuar sa i përket çështjes së Ballkanit të Hapur dhe pastaj ka çështje të tjera të cilat unë, thjesht, nuk kam nevojë t’ju tregoj juve se çfarë qëndrimi ka Shqipëria, sepse ai qëndrim është publik."

Më herët qytetarja e parë e Kosovës e ka akuzuar zotin Rama se po i pastron faqen Serbisë e cila përballet me kritika nga BE-ja për shkak të refuzimit të sanksionimit të Rusisë.