Manjani për vendoret: Shtatori duhet ta gjente opozitën me kandidatë, të zgjedhë sa më shumë njerëz normalë

Ylli Manjani thotë se opozita është e vonuar në përzgjedhjen e kandidatëve për zgjedhjet vendore.

Në një intervistë për Rtv Ora ai thotë se ky proces duhet të ishte mbyllur që në shtator.

Manjani: Shtatori opozitën duhet ta gjente me kandidatë të shpallur, shtatori iku. U fol që kemi punë, protesta. E ka të domosdoshme një orë e më parë të anonçojnë kandidatët e bashkive në çdo bashki dhe mundësisht dhe listën e këshilltarëve. Është një event shumë interesant, veçanërisht për opozitën. Është e vërtetë që ka kakofoni politike. Zgjedhjet lokale nuk kanë pse të jenë detyrimisht politike, por janë mundësi shumë e mirë për të krijuar njësi organizative në terren dhe për të promovuar sa më shumë njerëz, fytyra të reja që të jenë pjesë e ekipeve politike.

Duke qenë se bëhet fjalë për përzgjedhjen e njerëzve që do administrojnë qytetet tona, këshilla e Manjanit, sidomos për bashki të mëdha si Tirana, është që opozita të zgjedhë sa më shumë njerëz normalë.

Manjani: Unë kam mendimin që opozita, veçanërisht për bashki si Tirana, sa më shumë emra jopolitikë aq më mirë do jetë. Tirana ka nevojë për njerëz normalë që kujdesen më shumë për qytetin sesa a do shkojnë nesër në qeveri. Siç rri Erion Veliaj, ka kohë që nuk është kryetar bashkie. Opozita e ka mundësinë ti japë një alternativë tokësore qyteteve, veçanërisht Tiranës, por vonesa është e pajustifikueshme.