Scholz mbron paketën ndihmëse 200 mld euro të Gjermanisë përballë kritikave të europianëve
Kancelari, Olaf Scholz, e përshkroi planin e qeverisë së tij për të mbrojtur ekonominë nga kriza energjetike me një paketë prej 200 miliardë eurosh si të justifikuar, duke iu përgjigjur kritikave nga Komisioni Evropian dhe vendet e tjera anëtare për një avantazh të pajustifikuar për kompanitë gjermane dhe minimin e solidaritetit evropian.
“Masat që po marrim janë të justifikuara. Ato nuk janë të izoluara dhe janë adoptuar edhe në vende të tjera. Si shumë vende të tjera, ne do të bëjmë të njëjtën gjë me gazin natyror. Disa prej kohësh janë në proces për të bërë pikërisht atë që kemi planifikuar për këtë vit dhe dy vitet e ardhshme, me mbështetje dhe masa të mëdha. Ndoshta jo të gjithë e kanë vënë re këtë” tha kancelari gjerman gjatë një konference të përbashkët për shtyp që dha më herët sot me kryeministrin holandez Mark Rutte, pas përfundimit të takimit të këshillit gjermano-holandez të klimës, me pjesëmarrjen e ministrave nga të dyja vendet.
Madje zoti Scholz e cilësoi planin gjerman si “një paketë shumë të zgjuar, shumë të balancuar dhe shumë vendimtare” dhe vuri në dukje se paratë që do të ndahen do të mbështesin edhe importuesit e gazit natyror.
“Ne e dimë nevojën për të ruajtur solidaritetin në Evropë dhe shumë nga ato që bëjmë, p.sh. krijimi i kushteve për importin e gazit natyror nuk na shqetëson vetëm ne, por janë të dobishme edhe për vendet e tjera evropiane”, tha ai.
“Për sa i përket hapave konkretë që marrim për të ndihmuar qytetarët tanë, është e qartë se çdo vend duhet të bëjë diçka. Ka vende të tjera që kanë ndërmarrë masa që nuk janë shumë të ndryshme nga tonat” shtoi kancelari gjerman.
Nga ana e tij, zoti Rutte mbështeti nismën gjermane, duke theksuar se Gjermania ka të drejtë të marrë masa kombëtare, ndërsa hodhi poshtë propozimin për vendosjen e një tavani të çmimit të gazit natyror nga BE-ja "si ideologji" dhe paralajmëroi rrezikunse gazi nuk do të shitet në Evropë, por në Azi.
Megjithatë, të dy liderët ranë dakord se prioritet absolut për momentin është ulja e çmimeve të energjisë duke siguruar furnizimin me energji në të gjithë Evropën.
Olaf Scholz vuri në dukje se çmimet e gazit natyror mbeten shumë të larta, në një masë që nuk justifikohet nga marrëdhënia ofertë-kërkesë dhe theksoi nevojën për të vazhduar përpjekjet për të luftuar spekulimet.
Ai madje shprehu besimin se eksportuesit e gazit natyror si Norvegjia, SHBA dhe vendet arabe janë të gatshëm të bashkëpunojnë për të ulur çmimet.
Të dy udhëheqësit u shfaqën gjithashtu të kujdesshëm për marrjen e borxhit të përbashkët në BE për t'u marrë me çmimet e larta të gazit, siç ka ndodhur gjatë pandemisë së koronavirusit.
Kancelari i Gjermanisë ju referua Fondit të Rimëkëmbjes, i cili tha se nuk është shteruar.
“Ne kemi një program të madh prej 750 miliardë eurosh, pjesa më e madhe e të cilit ende nuk është përdorur dhe mund të jetë veçanërisht efektiv në këtë moment. Këto fonde tani mund të ndihmojnë”, tha ai.
"Para se të mendojmë për fondet e reja, ne duhet të përdorim ato tashmë të disponueshme," ra dakord z. Rutte.

