Rusi: Mbi 700,000 qytetarë u larguan nga vendi pas rekrutimit për luftë nga Putini
Rreth 700,000 njerëz janë larguar nga Rusia që nga fillimi i rekrutimit ushtarak, shkruan faqja e internetit e edicionit rus të revistës Forbes, duke cituar burime në administratën e presidencës ruse.
Në gati dy javë që nga shpallja e rekrutimit të pjesshëm, rreth 700,000 njerëz janë larguar nga Rusia, nga të cilët 200,000 shkuan në Kazakistan, shkruan Forbes, duke vënë në dukje se nuk dihet se sa prej atyre që u larguan janë turistë dhe kur planifikojnë të kthehen.
Një burim i Forbes i njohur me vlerësimet e Kremlinit për këtë çështje tha se gati 1 milion njerëz janë larguar nga Rusia.
Një tjetër burim në administratën e presidencës ruse sqaroi se bëhet fjalë për 600.000-700.000 rusë, duke theksuar se është e pamundur të llogaritet për momentin numri i atyre që largohen për arsye turistike.
Ministri i Jashtëm i Kazakistanit tha se që nga fillimi i rekrutimit në Rusi, 200,000 rusë kanë mbërritur në Kazakistan.
Ministria e Punëve të Jashtme të Gjeorgjisë njoftoi se nga 17 deri më 29 shtator, 94,000 qytetarë rusë mbërritën në vend.
Ndër të tjera, Agjencia Evropiane e Rojës Kufitare dhe Bregdetare “Frontex” vlerësoi se 66,000 rusë mbërritën në Bashkimin Evropian javën e fundit, një numër 30% më i lartë se javën e kaluar.
Demografët raportuan në publikimin javor “Demoscop” se në periudhën janar-qershor popullsia e Rusisë u ul me pothuajse 481,000, që tejkalon me 56% numrin e regjistruar në gjysmën e parë të 2021.
