Bajraktari: Aneksimet e Putinit në Ukrainë një marrëzi, do që të shkojë deri në kufi me Moldavinë
Në “Drejt” nga Luan Rama, në RTV Ora, konsulli i nderit i Ukrainës, Bledi Bajraktari u shpreh se referendumet e Rusisë në Ukrainë janë një marrëzi.
Sipas tij, kjo është një ndarje artificiale e Ukrainës dhe nuk do të ndalet aty, pasi Putinin kërkon që të marrë territore deri në Odesa.
Bajraktari: Unë e kam quajtur si një marrëzi një gjë të tillë, sepse nuk mund të zhvillohet në një periudhë lufte. Kjo është një luftë për kapriçon e një personi të cilit i kanë vendosur sanksione dhe bota e ka vendosur me shpatulla pas murit. Vendet perëndimore morën këto vendime për të ndëshkuar Putinin dhe federatën e Rusisë.
Kjo është një ndarje artificiale e Ukrainës dhe nuk mendoj se do të ndalet këtu, sepse ai do të shkojë deri në Odesa për tu lidhur me Moldavinë. Sot është lufta e të fortit, por këto territore nuk do t’i ngelen Rusisë. Mendoj se Ukrainë është disi e tradhtuar edhe nga dëshira e anëtarësimit të saj në NATO.
