"Nuk largohet me lule… por as me dhunë", Aleksandër Biberaj: Regjimin komunist e rrëzuam në 4 ditë pa thyer asnjë xham

Aleksandër Biberaj, anëtar i Këshillit Kombëtar të PD, u shndërrua sot në protagonistin kryesor të mbledhjes së këshillit të demokratëve me kërkesën e tij publike drejtuar kryetarit Berisha për radikalizim të aksionit opozitar.

I ftuar në Rtv Ora me gazetaren Kostana Morava, Biberaj përsëriti se një protestë e qëndrueshme është mjeti kryesor për të rrëzuar këtë regjim para zgjedhjeve vendore.

Por kjo sipas tij kjo nuk vjen as duke protestuar me lule, por as me dhunë.

E nëse në vendore futemi me qeverinë Rama, ai kurrësesi nuk është partizan i bojkotit, por ndeshjes dhëmbë për dhëmbë me kundërshtarin politik.

Biberaj: Unë jam politikan që i përkas një brezi që i pranojmë sfidat. Unë nuk jam dakord për bojkot, jam për ndeshje me regjimin dhëmbë për dhëmbë, sy më sy në çdo shesh, rrugë, në çdo qytet dhe fshat dhe përmbyset. Duket sikur është i plotfuqishëm dhe i plotpushtetshëm, por nuk është më i fortë se Gadafi, Sadam Hyseni. Lëviz me 100 makina, as presidenti i SHBA nuk lëviz me ato masa sigurie. Çoni kamerat për lëvizjen e tij deri te shtëpia në Surrel çfarë kostoje ka. Janë taksat tona. Ai është frikacak që sa të shohë pak qytetarë do të ikë por jo me tullumbace, jo me lule.

Unë propozoj protesta për të përmbysur regjimin dhe çdo mjet demokratik është legjitim për të përmbysur një regjim kriminal. Kemi përmbysur regjimin komunist për katër ditë dhe nuk kemi thyer një xham. Ikën vetë, ikën fare nga Shqipëria por kur të rrimë ne aty dhe ai ta kuptojë që e kemi seriozisht dhe e ka kuptuar që e kemi seriozisht sepse ka ndryshuar opozita.

Por opozita bëri gabim se tha shtator, shtator dhe iku shtatori. Këto janë inflacion politik dhe unë nuk ja rekomandoj opozitës dhe lidershipit të opozitës që të kemi inflacion kur inflacionin e ka qeverisja pas 10 vitesh skandale nga më të paimagjinueshmet. Ne duhet të bashkohemi, të themi në X datë fillon protesta dhe nuk kthehemi në shtëpi pa e përmbysur këtë regjim. Ke për të parë sesi do të dalin shqiptarët, nga gjithë Shqipëria do të vijnë.