Gërryenin inerte nga lumi Shkumbin, arrestohet administratori dhe drejtuesi i eskavatorit
Dy persona janë arrestuar ditën e sotme në Elbasan pasi u kapën duke marrë në mënyrë të jashtëligjshme inerte nga lumi Shkumbin.
Në pranga ranë administratori i një subjekti privat dhe drejtuesi i ekskavatorit, ndërsa u sekuestruan kamioni që drejtonte administratori, i ngarkuar me inerte dhe ekskavatori.
"Me finalizimin e operacionit policor "Shkumbini", u arrestuan
D. B., 48 vjeç, administrator i një subjekti privat (drejtues i kamionit) dhe F. P., 40 vjeç, drejtues i ekskavatorit, pasi janë kapur nga shërbimet e Policisë, duke gërryer shtratin e lumit Shkumbin dhe duke marrë inerte në mënyrë të kundërligjshme," njoftoi policia.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan ekskavatori dhe kamioni i ngarkuar me inerte.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprat penale "Shkatërrimi pronës me mjete të tjera” dhe "Fshehja e të ardhurave".
