Protestë kundër Unazës së Madhe, qytetarët kërkojnë strehim e shpronësim për banesat e tyre
Banorët e Laprakës dhe Paskuqanit dolën në protestë kundër shembjen e banesave te tyre pa u garantuar strehim e marre shpronësim. Pronarët e shtëpive që preken nga ndërtimi i Unazës së Madhe kërkuan zgjidhje nga institucionet shtetërore ndërsa paralajmëruan përshkallëzim të proteatave. Sipas tyre gjurma e projektit është ndryshuar nga interesa korruptive
Gjevalin Marku mori familjen e u largua drejt Italisë për shkak se shtëpia që kishte këtu hyri në listë për tu shembur për shkak të ndërtimit të Unazës së Madhe.
Si Gjevalini janë shumë familje që preken nga projekti i unazës e për këtë arsye, u mblodhën për të protestuar. Ata kërkojnë si fillim një zgjidhje strehimi e më pas shpronësim.
"Duam të na njihet legalizimi, prona që mos të kthehemi 30 vite pas. Kur flitet për 400 banesa, mund të jenë 1000 familje, pasi në një ndërtesë 2-3 katëshe mund të jenë dy kurora ose tre," tha një prej protestuesëve.
Projektin e quajnë mafioz pasi sipas tyre gjurma e unazës ka devijuar për interesa të njerëzve me influncë dhe pushtet.
"Janë dy standarde të përdorura nga kryeministri, qeveria e bashkia e Tiranës të cilat nuk do ti pranojmë. Kanë mbaruar të gjitha territoret e bashkisë në pronësi dhe duan që të hapin kantiere të reja ndërtimi. mua më kthen 30 vite pas për tu bërë Salillari më i pasur," tha ai.
Banorët thonë se nuk do të lejojnë askënd tu shembë shtëpitë e ndërtuara me mund në më shumë se 30 vite.
"Ne jemi këtu të mbrojmë pronën tonë. Kemi 30 vite që jetojmë këtu. Mos të mendojë asnjë pushtetar, kushdo që do të vij në pushtet, që ne do të lirojmë banesat tona pa na dhënë dëmshpërblimi që na takon me ligj e kushtetutë," tha një tjetër.
Banorët e Laprakës dhe Paskuqanit premtuan që do t'i rinisin protestat dhe nëse nuk ka një zgjidhje qëndrimi i tyre do të përshkallëzohet.