Fasha mbi 800 kw/h rikthehet në nëntor, Rama: Drejtësia fajtore për ndërtimet pa leje

Ndërsa një ditë me parë Kryeministri Edi Rama deklaroi se fasha 800 kilovat e energjisë nuk do të futej ne fuqi në muajin tetor, duke e shtyrë atë pa afat, këtë të shtunë (1 tetor) në një komunikim me qytetarët online sot ka shpjeguar se shtrenjtimi do të nisë në muajin nëntor.

Edi Rama: Vendosëm ta shtyjmë për 2 arsye; elementi i para janë reshjet. Kemi pasur reshje shtuar kuotat në hidrocentrale. Element i dytë është një trend kursimi që ka bërë që nevoja për energji të jetë më e ulët se parashikimi.

Në nëntor do të vendoset fasha duke pasur parasysh parametrat ose do ti rikthehemi këtij diskutimi duke pasur parasysh parametrat. Kjo është objektive. Nëse trendi i kursimit do të vazhdojë dhe nëse reshjet do të vazhdojnë ne do ta kalojmë pa asnjë problem. 

Rama tha se jo të gjitha familjet e kalojnë fashën e 800 kilovatëve.

Edi Rama: "Ka sot plot që konsumojnë mbi 800, nuk janë 60 mijë që është piku, por 30 mijë janë"

I pyetur në lidhje me ndërtimet pa leje kryeministri ia ka hedhur serish fajin drejtësisë për mijëra metra katrorë të ndërtuar në mes të Tiranës, duke thënë se të korruptuarit e këtij sistemi janë shndërruar në mburojë për pronarët e pallateve.

Edi Rama: 1.3 milion dollarë gjobë është vendosur në fillim të muajit qershor. E çojmë në gjykatë gjobën dhe gjykatësi rrëzon shtetin. Një gjykatës i verbuar, unë besoj i verbuar nga paraja, por nuk jam nga ata që ngre akuza pa prova, por i verbuar totalisht dhe i padenjë fare, fare, fare i thotë shtetit “jo”, ndërkohë që gjobën e ka ligji, nuk e ka inspektoriati.

Kreu i qeverisë tha se deri tani janë kallëzuar 40 subjekte, 18 kryetar të bashkive e komunash, përfshirë dhe socialistë, 12 drejtorë Urbanistike, 25 kryeinspektorë të IMT si dhe 2 drejtorë të Aluiznit. Rama tha se emrat e tyre janë çuar në prokurori.