Kalbet rrushi në Zadrimë / Prodhimi i bollshëm, por mungon tregu i shitjes
Në Zadrime të Lezhës dhjetëra ton rrush janë duke shkuar dëm. Fermerët thonë se prodhimi ka qenë i bollshëm, por mungon tregu i shitjes. Ata bëjnë apel nga shteti për të gjetur një zgjidhje.
Në fushën e Zadrimës në Lezhë rrushi po kalbet.
Këtë vit prodhimi ka qenë i bollshem, por mungon tregu i shitjes.
Kjo situatë e cila ka nisur të shfaqet prej tre vitEsh i ka vënë në vështirësi fermerët, duke i çuar drejt falimentimit, pasi e kanë të lidhur jetesën me sektorin e bujqësisë.
"Ku ta çojmë, askush nuk po e merr. Po punojmë kot. Çmimet janë të larta e blerës nuk ka. Prodhim ka plot, por nuk kemi ku ta çojmë.
Marrim dhe e bëjmë raki mos të shkojë kot. Ky nuk është mundi i një jave, nuk është as kallamishte apo grurë. Ky është mundi i 12 muajve.
"Nuk dimë ku ta çojmë prodhimin, vetëm ta tresim. Kërkesa nuk ka," thonë dy fermerë.
Përballë mungesës së tregut, fermerët kërkojnë mbështetjen e qeverisë.
"Nuk kam marrë asnjë lloj mbështetje apo financim. Asnjë hardhi s'e kam marrë nga shteti.
Shteti duhet të bëjë diçka për këtë. Dëmi është shumë i madh," thonë ato.
Në Lezhë janë të mbjella qindra hektarë vreshtari të cilët prodhojnë sasi të madhe rrushi, ndërsa çmimi i shitjen varion nga 50 deri në 100 lek për kg.
