Blendi Klosi merr drejtimin politik të Vlorës në vend të Ahmetaj. Kandidatët me primare? Rama: Jo faleminderit

Ashtu siç u lajmërua nga Rtv Ora dhe Ora News, Edi Rama ka ndërprerë çdo bashkëpunim me ish-numrin dy të qeverisë së tij, Arben Ahmetajn. Kjo u konfirmua në mbledhjen e Kryesisë së Partisë Socialiste, e cila miratoi ndryshimin e disa prej drejtuesve politikë të PS-së në qarqe të ndryshme, ku ra në sy largimi i Arben Ahmetajt nga postet drejtuese, o cili tashmë do të jetë thjesht një deputet i PS-së.

Edi Rama ndërpret çdo bashkëpunim me ish-numrin dy të qeverisë së tij, dhe njeriun që e shoqëroi për më shumë se 8 vite në drejtimin e vendit, Arben Ahmetajn.

Nga drejtimi i Financave, në Ministër për Rindërtimin të cilit iu besuan paratë e Bashkimit Europian pas tërmetit tragjik të tre viteve më parë, dhe së fundmi edhe zëvendëskryeministër, tashmë Arben Ahmetaj mbetet me teserën e anëtarit të thjeshtë por edhe me mandatin e deputetit të Partisë Socialiste.

Kjo u konfirmua mbrëmjen e kësaj të marte, në mbledhjen e Kryesisë së Partisë Socialiste, e cila miratoi ndryshimin e disa prej drejtuesve politikë të PS-së në qarqe të ndryshme.

Në daljen e tij për mediat i pyetur për vendimin e tij për ta shkarkuar përfundimisht Arben Ahmetaj nga PS-ja, Edi Rama zgjodhi të mos përgjigjej në mënyrë të drejtëpërdrejtë.

Rama: Nuk ka rëndësi të hyjmë në emra, të gjithë jemi shërbëtorë të këtij misioni. Secili ka rolin e vet dhe pozicionin e vet. Kjo është një skuadër dhe çdo skuadër ka lojtarë që kanë role të ndryshme dhe secili bën rolin e tij se po të bënin të gjhithë të njëjtin rol nuk do kishte skuadër.

Dhe në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet vendore të vitit të ardhshëm Kryesia e PS-së vendosi që Blendi Klosi të drejtojë Qarkun e Vlorës në vend Arben Ahmetajt, Pandeli Majko u caktua në Kukës.

Ndërkaq, Edi Rama duket se nuk po gjen qetësi me socialistët e Shkodrës.

Debatet më të fundit të Ministres e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjen, Edona Bilali me anëtarët socialistë në Këshillin Bashkiak të Shkodrës, kanë detyruar kreun e PS-së që në vend të Bilalit të emërojë ministren tjetër të Shtetit, Elisa Spiropalin.

Edi Rama paralajmëroi se ndryshimet në parti do vazhdojnë edhe gjatë javëve në vijim.

Rama: Të gjithë kanë detyra dhe pozicionet e tyre dhe ndryshimi i pozicioneve në kushtet kur jemi në rrugën drejt një fushate tjetër zgjedhore është gjëja më e natyrshme, do bëjmë akoma të tjera.

Kryesocialisti u pyet edhe lidhur me përzgjedhjen e kandidatëve socialistë përmes primareve.

Rama: Jo faleminderit.

Mësohet gjithashtu se Rama ju ka lënë porosi drejtuesve të qarqeve të bëjnë analizë të strukturave të PS në çdo bashki si dhe të sjellin vlerësime për kryebashkiakët aktualë të PS-së.