"S'më bën presion askush!" Rama mbron vendimin e MAS për mbylljen e shkollës turke: Mos kërkoni konspiracione
Kryeministri Edi Rama ka mbrojtur dhe një herë vendimin për mbylljen e shkollës dhe kopshtit turk.
Duke folur për gazetarët pas mbledhjes së Kryesisë së PS, ai përjashtoi që në këtë vendim të ketë dorë Erdogan, duke u shprehur se shkollës i është hequr licenca nga MAS për shkak të shkeljeve të legjislacionit në fuqi, siç është proceduar dhe në raste të tjera.
Rama: Merrini dhe shikoni dokumentacionin. Po të ishte kjo një çështje politike dhe po të ishte një mbyllje e natyrës politike pse do merreshim ne me një kolegj vajzash kur ndërkohë janë plot struktura të tjera që janë atje dhe nuk i ka ngacmuar askush. Për çfarë arsyeje? Arsyeja është shumë e thjeshtë.
Siç kemi vepruar për çdo subjekt, nuk është hera e parë që MAS i heq licencën një institucioni arsimor dhe nuk keni bërë asnjë zhurmë për rastet e tjera, kështu kemi vepruar dhe për këtë rast. Do të ishte shkelje e ligjit ga MAS në rast se në këtë rast nuk do të vepronte sepse ky aktivitet është spostuar në një vend tjetër pasi godina është shitur dhe spostimi është bërë pa marrë asnjë miratim.
Nuk ekziston në legjislacionin e Shqipërisë që ti të nisësh me një licencë që e ke për të zhvilluar aktivitetin tënd këtu dhe të shkosh ta bësh aktivitetin në një vend tjetër, minimalisht pa shkuar dhe pa marrë leje. Këtë ka vërtetuar dhe vendimi i djeshëm i gjykatës. Është shumë e thjeshtë, doni të kërkoni mbrapa konspiracione dhe ta veshni këtë me qëllime të errëta…
Mua nuk më bën presion askush, asnjë lloj politikani apo përfaqësuesi i asnjë shteti në asnjë lloj forme këtu apo jashtë sepse unë jam Kryeministri që më kanë zgjedhur shqiptarët.
Mua nuk më kanë zgjedhur as amerikanët, as turqit, as gjermanët, as francezët, as italianët me gjithë respektin që kam për të gjithë këta. Unë këtu mund të bëj gabime por janë gabime të cilat nuk vijnë nga qëllimi i keq por vijnë nga një gjykim që mund të mos jetë i duhuri për atë gjë.
