U rindërtua me fondet e BE, 125 fëmijë i gëzohen çerdhes së re në Durrës

Bashkimi Europian ka vendosur që të mënaxhojë përmes UNDP fondet e saj për rindërtimin e objekteve arsimore të shkatërruara nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.

Këtë të hënë në Durrës u përurua çerdhja numër 3, e cila është në mesin e 30 godinave arsimore që po rindërtohen me fondet e BE përmes propjektit EU4Schools.

Gjatë fjalës së saj ambasadorja e BE në vendin tonë kujtoi nisjen e negociatave, ndërsa shtoi se Shqipëria nuk do të lihet vetëm në rrugën e saj drejt Unionit.

"Në korrik Shqipëria hyri në një fazë të re të marërdhënies së saj me BE dhe kjo ishte çelja e negociatave me BE. Ky proces nuk do jetë i lehtë, do duhet kohë, punë, por ju siguroj se BE do qëndrojë krah jush në këtë proces për ta ndjekur deri në përfundimin e vet".

Por ndërsa fëmijë 6 muajsh deri në 3 vjeç i gëzohen çerdhes së re, janë me mijëra nxënës në Durrës që prej tre vitesh zhvillojnë mësim pasdite në pritje të rindërtimit të shkollave të tyre, shumë prej të cilave i ka në menaxhim bashkia.