Greva dhe protesta qytetare, Paloka: Me 1 tetor Këshilli Kombëtar i PD-së vendos për primaret

Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike e ka shtyrë për të shtunën e ardhshme miratimin e draftit për zgjedhjen e kandidatëve për zgjedhjet lokale përmes primareve.

Me konsensus anëtarët vendosën ti lënë vetes më shumë kohë për tu njohur me përmbajtjen e draftit.

Kryetari i Këshillit Edi Paloka tha se kjo temë do të rikthehet për diskutim të shtunën e 1 tetorit.

Ndërkohë në mbledhje u diskutua dhe për aksionin opozitar.

Paloka: Këshilli Kombëtar kishte parashikuar në rend dite të diskutonte për situatën politike dhe aksionin opozitar në ditët në vazhdim, ndërkaq me vendim të kryesisë u futën sot në rend dite dhe miratimi i kodit etik të PD si dhe disa rregullore, ajo për funksionimin e organeve qëndrore të PD, ajo për funksionimin e degëve të PD dhe rregullorja më e rëndësishmja e gjithë këtyre materialeve, ajo për zhvillimin e primareve për pushtetin lokal.

U miratuan rregulloret e para dhe kodi etik, ndërkohë që pati një propozim nga anëtërat e Këshillit Kombëtar që rregullorja për primaret, për përzgjedhjen e kandidaturave për pushtetin lokal të shtyhet për një kohë tjetër me qëllim që anëtarët të kenë mundësi të njihen më mirë me përmbajtjen pastaj dhe për diskutimet që do bëhen në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Kombëtar që u vendos të jetë këtë të shtunë.

Pati diskutime lidhur me qëndrimet që duhet të mbajë PD apo aksionin opozitar të PD dhe u ra në dakordësi që sa më shpejt duhet të organizohet jo vetëm protesta por një shumëllojshmëri aktesh dhe aksionesh opozitare përfshirë këtu grevat e grupimeve më të mëdha sociale në Shqipëri që do kontaktohen prej nesh duke nisur nga Sindikatat dhe gjithë grupimet e tjera si mësuesit, mjekët, infermierët që kanë probleme dhe janë në syrit të ciklonit të kësaj qeverisje me qëllim që gjithë aksioni opozitar të ketë një shumëllojshmëri veprimesh që do përfshijnë grevat, protestat qytetare dhe një mori aktivitetesh të tjera që do nisin me takimet kokë më kokë me qytetarët.

Data e protestës është një çështje burokratike pasi fillimisht duhet që gjithë kjo mori aktivitetesh të  organizohet dhe të kemi rezultat nga ky aksion opozitar. Të shtunën do diskutohet rregullorja e primareve.