Sulm me armë në një shkollë ruse, vdesin 15 persona mes tyre 11 fëmijë (Video)
Një person i armatosur ka hapur zjarr në një shkollë në Rusinë qendrore, duke vrarë të paktën 15 persona dhe duke plagosur 24 të tjerë.
Viktimat përfshijnë 11 fëmijë në shkollën me rreth 1000 nxënës në qytetin e Izhevsk.
Personi i armatosur vrau veten në vendngjarje dhe ishte një ish-nxënës i shkollës.
Videot e postuara në internet duket se tregojnë panik brenda ndërtesës ku ndodhën të shtënat, me fëmijë dhe të rritur që vrapojnë nëpër korridore.
Pamjet e tjera tregojnë gjak në dyshemenë e një klase dhe një vrimë plumbi në një dritare, me fëmijë të ulur poshtë tavolinave.
Njëmbëdhjetë fëmijë dhe katër të rritur u vranë, duke përfshirë dy roje sigurie dhe dy mësues, sipas komitetit hetimor të Rusisë.
Stafi dhe nxënësit janë evakuuar nga ndërtesa e shkollës e cila është në qendër të Izhevsk - një qytet me rreth 650,000 banorë.
Sulmuesi - i quajtur Artem Kazantsev - raportohet të ketë qenë i armatosur me dy pistoleta.
Një video e postuar në internet nga hetuesit e shtetit tregon trupin e pajetë të personit të armatosur në dysheme, i veshur me një bluzë me një simbol nazist dhe një kapuç. Hetuesit po kontrollojnë vendbanimin e tij.
Kreu i qarkut ka shpallur një periudhë zie deri më 29 shtator.

