Çekia mban fjalën për Kosovën, KE do të diskutojë për liberalizimin e vizave në 13 tetor
Siç premtoi në fillim të rrugëtimit të mandatit gjashtë mujor, presidenca çeke e BE-së ka futur çështjen e liberalizimit të vizave për muajin e ardhshëm.
Çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën do të jetë në rend dite në takimin e grupit të punës në Këshillin Evropian më 13 tetor.
Presidenca çeke e BE-së tashmë u ka dërguar letër vendeve anëtare si paralajmërim për diskutimet në lidhje me këtë çështje.
Praga zyrtare rikujton konstatimin e Komisionit Evropian se Kosova i ka përmbushur kriteret dhe shpreson që të gjitha vendet anëtare të bien dakord me këtë.
Në dokumentin e Presidencës Çeke për Kosovën thuhet se vendimi për liberalizimin e vizave është i vonuar dhe se ai do të ndikonte në rritjen e besimit të rajonit te Brukseli.
Komisioni Evropian e ka nisur dialogun për liberalizimin e vizave me Kosovën në vitin 2012 ndërsa në korrik të 2018-s ka konfirmuar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret.
Parlamenti Evropian, në vazhdimësi, ka konfirmuar se mbështet liberalizimin e vizave për Kosovën.
Nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, vetëm qytetarët kosovarë nuk mund të lëvizin lirshëm në vendet e BE-së apo në atë që njihet si zona Schengen.