Protesta kundër mobilizimit në Rusi, 100 të ndaluar në provincën me shumicë myslimane

Rusia po përballet me protesta në rajone të ndryshme nga qytetarë që thonë se nuk duan të shkojnë në luftë në Ukrainë. Që kur presidenti Putin shpalli mobilizimin e pjesshëm për luftë, video të ndryshme kanë qarkulluar me radhë të gjata me makina në kufi që prisnin të kalonin në Finlandë dhe vende të tjera rrotull.

Të paktën 100 persona janë arrestuar në një protestë në rajonin e Dagestanit të Rusisë, sepse kundërshtojnë mobilizimin e forcave rezervë të Moskës për të luftuar në Ukrainë.

Protesta në Dagestan është një ndër dhjetëra demonstrata që kanë shpërthyer në të gjithë vendin, që kur Putin njoftoi masën për mobilizim të pjesshëm javën e kaluar.

KETU LAJMET MINUTE PAS MINUTE

Video të shumta qarkullojnë se si shumë qytetarë rusë kanë krijuar radhë të gjata kilometrike për të kaluar në Finlandë, apo shtete të tjera rrotull.

Mediet ndërkombëtare shkruajnë se zemërimi i publikut është më i fortë në rajonet e varfra, të mbizotëruara nga pakicat etnike, si për shembull Dagestani, një zonë me shumicë myslimane e vendosur në brigjet e Detit Kaspik.

Grupi i pavarur i monitorimit të protestës OVD-Info ka njoftuar se se më shumë se 2,000 njerëz janë arrestuar në mitingjet kundër regjistrimit për në luftë, që kur Putin shpalli mobilizimin e pjesshëm.

Këshilltari i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan tha në një deklaratë për shtyp se mobilizimi i pjesshëm i vazhdueshëm në Rusi dhe referendumet që po zhvillohen në rajonet e pushtuara të Ukrainës sugjerojnë se rusët i kanë punët keq në këtë betejë.