Ukraina sulmon rajonet e referendumit, përparime në rajonet ku votohet për t’u bashkuar me Rusinë
Rusia i quajti rajonet ku po zhvillohen referendumet për shkëputjen nga Ukraina si një vijë të kuqe, por ushtria ukrainase nuk ka ngurruar të zhvillojë kundërofensiva pikërisht në vendet ku po mbahen zgjedhje.
Ushtria ukrainase po zhvillon kundërofensivë në rajonet e pushtuara nga forcat ruse, në të cilat po mbahen referendume me qëllim bashkimin e këtyre territoreve me Federatën Ruse.
Lideri i Ukrainës, Zelenski tha në adresimin e tij të mbrëmjes se ka rezultate pozitive në rajonet Donjeck, Karkiv, Mikolaiv dhe Zaporizhja.
Rusia dhe aleatët e saj separatistë po mbajnë referendume për t’u shkëputur nga Ukrainë.
Procesin e votimit, Kievi dhe komuniteti ndërkombëtar e ka cilësuar të rremë, për shkak të njëanshmërisë dhe mungesës së trupave ndërkombëtare të vëzhgimit.
Referendumet po mbahen në rajonet Donjeck, Llugansk, Kerson dhe Zaporizhia.
Moska pretendon se në këto rajone banon një shumicë pro-ruse.
Presidenti i Rusisë Vladimir Putin ka sugjeruar se Moska mund të përdorë të gjitha mjetet që ka në dispozicion për t’i mbrojtur këto rajone nëse vendasit zgjedhin të bëhen pjesë e Rusisë.
Kreu i shtetit ukrainas tha se kërcënimet e Rusisë për armë bërthamore janë reale, ndërsa deri më herët ai i kishte quajtur si një blof.
