Putin fal studentët nga mobilizimi i pjesshëm, mijëra rusë po largohen nga vendi për shkak të urdhrit

Ndërsa shumë të rinj po braktisin Rusinë për shkak të urdhrit për mobilizimin e pjesshëm ushtarak, presidenti rus ka vendosur të përjashtojë nga masa studentët e arsimit profesional dhe të lartë.

Presidenti i Rusisë Vladimir Putin ka vendosur të përjashtojë nga urdhri i mobilizimit të pjesshëm studentët e universiteteve dhe kolegjeve profesional.

Sipas dekretit presidencial, do të përjashtohen nga urdhri të gjithë studentët që ndjekin institucionet arsimore të dekretuara nga shteti.

Më herët gjatë së shtunës, presidenti Putin nënshkroi legjislacionin e ri që ndryshon Kodin Penal rus.

Anëtarët e shërbimit ushtarak që do të dorëzoheshin te forcat armike gjatë një konflikti të armatosur do të përballeshin me 10 vjet burgim pas kthimit në shtëpi.

Dispozitat e tjera të dekretit përfshijnë deri në dhjetë vjet burg për pjesëtarët e shërbimit që refuzojnë të marrin pjesë në luftë ose që dezertojnë nga thirrja.

Dekreti vjen 4 ditë pas shpalljes së mobilizimit të pjesshëm, i cili ka detyruar mijëra rusë për t’u larguar nga vendi për t’i shpëtuar rekrutimit si rezervist ushtarak.

Ministria e Mbrojtjes tha më herët se synon të angazhojë 300,000 persona në shërbim aktiv, duke u dhënë përparësi atyre me përvojë luftarake për të shërbyer në përmbushjen e objektivave të operacionit ushtarak në Ukrainë.

Pas urdhrit të së mërkurës mijëra njerëz protestuan në Moskë dhe Shën Pjetërburg nga ku kundërshtonin urdhrin e Putin.

Më shumë se 1300 persona janë arrestuar në demonstrata në të gjithë Rusinë.